Përshkrimi i konkursit

Banka jonë vazhdon të ofrojë produkte dhe zgjidhje të veçanta financiare për gratë sipërmarrëse, e udhëhequr nga vizioni për të qenë „Vërtet e Lirë“. Ne ndërmarrim hapa inovativë në fusha të ndryshme, me qëllim fuqizimin e ekosistemit të sipërmarrjes së grave dhe kontributin në një të ardhme të qëndrueshme. Në përputhje me këtë vizion, kemi kënaqësinë të prezantojmë edicionin e gjashtë të konkursit tradicional „Gratë që Krijojnë“, të organizuar nga banka jonë mëmë, Halkbank Turqi. Këtë vit, konkursi është i hapur edhe për aplikime nga Republika e Maqedonisë së Veriut, me qëllim që t’i ndihmojmë gratë t’i realizojnë me guxim ëndrrat e tyre dhe të bëhen më të dukshme në shoqëri.

Banka jonë mëmë, Halkbank Turqi, ka shpallur konkursin për gratë sipërmarrëse për vitin 2027. Në konkurs do të vlerësohen ndërmarrjet që dallohen për idetë e tyre inovative dhe aktivitetet e orientuara drejt teknologjisë, që integrojnë qasjen ndaj qëndrueshmërisë në proceset e tyre të biznesit, që shënojnë rritje falë potencialit zhvillimor dhe sukseseve të arritura, si dhe ato që krijojnë ndikim shoqëror përmes zhvillimit të zgjidhjeve inovative për problemet e shoqërisë.

Kusht për aplikim është që të paktën 50% e pjesëmarrjes në pronësinë e ndërmarrjes t’u takojë grave.

Konkursi „Gratë që Krijojnë“ përfaqëson një platformë që vë në pah jo vetëm kontributin ekonomik të grave sipërmarrëse, por edhe kontributin e tyre në ndryshimet shoqërore. Gratë sipërmarrëse që janë të gatshme për zhvillim, kanë vizion dhe e kanë përfunduar tashmë procesin e themelimit të ndërmarrjes së tyre, do të kenë mundësinë të shpalosin potencialin e tyre përmes projekteve dhe të frymëzojnë gjeneratat e ardhshme.

Këtë vit, konkursi është i hapur edhe për aplikime nga vendi ynë. Shfrytëzoni këtë mundësi që sukseset tuaja të bëhen të njohura për një publik më të gjerë.

Kategoritë e konkursit

Kategoria „Gruaja Sipërmarrëse e Vitit“

Në këtë kategori vlerësohen ndërmarrjet me qarkullim vjetor përfundimtar mbi 11 milionë denarë, të cilat kanë krijuar markën e tyre dhe tashmë janë të pranishme në tregjet e huaja ose kanë për qëllim zgjerimin në nivel ndërkombëtar.

Kategoria „Inovacioni, Teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale“

Në këtë kategori vlerësohen ndërmarrjet që përdorin në mënyrë efektive teknologjinë për zhvillimin e produkteve, shërbimeve ose modeleve inovative të biznesit, krijojnë vlerë të shtuar dhe kanë potencial për zgjerim dhe rritje.

Kategoria „Ylli në Ngjitje“

Në këtë kategori vlerësohen gratë sipërmarrëse, të ardhurat neto vjetore të të cilave nga shitjet nuk tejkalojnë 11 milionë denarë, të cilat kanë potencial për rritje dhe janë të hapura ndaj zhvillimit dhe inovacionit.

Kategoria „Qëndrueshmëria“

Në këtë kategori vlerësohen ndërmarrjet që zhvillojnë produkte, shërbime ose modele biznesi të orientuara drejt qëndrueshmërisë dhe krijojnë vlerë në fushat e shfrytëzimit efikas të burimeve, ekonomisë qarkore, mbetjeve zero dhe riciklimit.

Kategoria „Sipërmarrësi Social“

Në këtë kategori vlerësohen ndërmarrjet që zhvillojnë zgjidhje për problemet shoqërore ose mjedisore, krijojnë vlerë ekonomike dhe njëkohësisht kontribuojnë në mirëqenien shoqërore, përmes aktiviteteve në fusha si arsimi, punësimi i grave, punësimi i personave me aftësi të kufizuara, mbrojtja e mjedisit jetësor, ndryshimet klimatike dhe fusha të ngjashme.

Kushtet e pjesëmarrjes

Aplikimi për konkursin „Gratë që Krijojnë“ të Halkbank Turqi bëhet përmes faqes zyrtare të Bankës, www.halkbank.com.tr, duke plotësuar dhe ruajtur formularin e aplikimit në linkun vijues: Apliko

  • Kandidatet kanë të drejtë t'i përditësojnë aplikimet e tyre brenda 3 ditëve nga data e dorëzimit.

  • Aplikimet dorëzohen në emër të gruas sipërmarrëse ose kooperativës së grave. Çdo grua sipërmarrëse ose kooperativë e grave mund të dorëzojë vetëm një aplikim.

Me dorëzimin e aplikimit për konkurs, pjesëmarrësi konsiderohet se i pranon kushtet e pjesëmarrjes, konfirmon saktësinë e informacionit të paraqitur në formularin e aplikimit dhe vërteton se dokumentet e dorëzuara janë detyruese për të. Halkbank nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me saktësinë e informacionit dhe dokumenteve të dorëzuara nga pjesëmarrësi.

Gjithashtu, me dorëzimin e aplikimit, pjesëmarrësit pranojnë se përgjegjësia e plotë për çdo pretendim ose kërkesë eventuale lidhur me të drejtat e autorit, të paraqitur nga bartësit e të drejtave ose palët e treta, si dhe për të gjitha procedurat civile dhe penale që lidhen me to, i takon pjesëmarrësit që ka dorëzuar aplikimin.

Vlerësimi

Kriteret e vlerësimit të aplikimeve mund të ndryshojnë në varësi të kategorisë, por në përgjithësi do të merren parasysh kriteret e mëposhtme:

  • Kontributi në ekonomi;

  • Struktura e qëndrueshme financiare dhe suksesi në biznes;

  • Numri i vendeve të punës të krijuara për gratë;

  • Gatishmëria për zhvillim teknologjik;

  • Menaxhimi efikas i shitjeve dhe klientëve;

  • Diferencimi dhe inovacioni në marketing;

  • Aftësia për të zgjidhur një nevojë reale;

  • Historia origjinale dhe ideja e biznesit;

  • Krijimi i përfitimeve shoqërore.

Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, një numër i caktuar finalistësh nga secila kategori do të vlerësohen nga një komision jurie, i përbërë nga ekspertë të fushave përkatëse dhe gra të suksesshme në biznes, të cilat shërbejnë si shembuj dhe frymëzim.

Çmimet

Kategoria

Shuma e Çmimit

Gruaja Sipërmarrëse e Vitit

2.000.000 TL

Inovacioni, Teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale

1.000.000 TL

Ylli në Ngjitje

1.000.000 TL

Qëndrueshmëria

1.000.000 TL

Sipërmarrësi Social

1.000.000 TL